Business

Programi qeverisës: Rritje e pagave të mjekëve dhe infermierëve me 25%, ndërsa paga mesatare e mësuesve 1.250 euro deri në 2029

By V K

Copyright albeu

Programi qeverisës: Rritje e pagave të mjekëve dhe infermierëve me 25%, ndërsa paga mesatare e mësuesve 1.250 euro deri në 2029

Qeveria “Rama 4”, planifikon që deri në vitin 2029, rroga e mjekëve dhe infermierëve të rritet me 25%.

Gjithashtu në bazë të programit qeverisës, që do të prezantohet ditën e nesërme (18 Shtator) në Kuvend, rroga mesatare e mësuesve do rritet me 1.250 euro deri në 2029.

“Rrisim pagën mesatare të mësuesve në 1,250 euro deri në vitin 2029”, shkruhet në program lidhur me pagat e arsimtarëve.

Ndërsa për bluzat e bardha: “Rrisim pagat e mjekëve dhe infermierëve me 25% deri në vitin 2029 për të ruajtur konkurrueshmërinë”.

Programi i plotë:

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 është misioni ynë kombëtar, është kryefjala e çdo vendimi, është boshti i çdo reforme, është ëndrra e brezave që ne kemi marrë përsipër ta kthejmë në realitetin e brezit tonë. Ky nuk është një udhëtim protokollesh e ceremonish, por një proces i thellë shtetformimi, që e bën Shqipërinë më të drejtë, më të fortë, më moderne dhe më të denjë për të ecur krah për krah me kombet e zhvilluara të Europës.

Shqipëria Europiane është shtylla e parë dhe busulla që i jep drejtim çdo reforme. Anëtarësimi nuk është vetëm objektiv diplomatik, por proces transformues që forcon shtetin e së drejtës, modernizon shtetin digjital, rrit integritetin e administratës, garanton sigurinë publike dhe kombëtare, dhe e vendos Shqipërinë në zemër të vendimmarrjes europiane. Europa mbi të gjitha është përfitimi i drejtpërdrejtë për qytetarët, në jetën e tyre të përditshme – në punën që bëjnë, në shërbimet që marrin, në të drejtat që gëzojnë dhe në sigurinë që ndiejnë, si pjesë e një familjeje me 450 milionë anëtarë.

Rritja Ekonomike e Qëndrueshme është shtylla e dytë dhe rruga që kthen vizionin në realitet. Shqipëria e re ndërtohet mbi financa të shëndosha dhe tatime të ndershme, mbi një klimë të parashikueshme për biznesin dhe mbi një treg pune që hap dyer për të rinjtë. Ajo ngrihet mbi turizmin që nuk njeh më sezone, mbi bujqësinë dhe fshatin që modernizohen me teknologji, mbi energjinë e pastër që na kthen në eksportues të së ardhmes së gjelbër dhe mbi inovacionin që u jep hapësirë brezave të rinj për të krijuar e për të konkurruar. Dhe mbi të gjitha, ajo shtyhet përpara nga një infrastrukturë moderne – porte, aeroporte, hekurudha dhe korridore rrugore – që lidh Shqipërinë me rajonin, Europën dhe botën, duke e bërë vendin tonë një nyje të re zhvillimi.

Mirëqenia për të Gjithë është shtylla e tretë dhe kontrata jonë me qytetarët. Ajo është kujdesi për fëmijët e vegjël që rriten në çerdhe e kopshte më të mira, është arsimi që lidhet me jetën reale dhe me Europën, është shëndetësia falas e modernizuar, janë pensionet dinjitoze dhe shërbimet sociale që mbështesin ata që kanë nevojë. Është rinia që gjen punë dhe hapësira të reja, është sporti dhe kultura që gjallërojnë përditshmërinë, është mjedisi i mbrojtur dhe ekonomia e gjelbër që bëhen pjesë e zakoneve tona të përditshme. Ky është programi ynë: Shqipëria Europiane, Shqipëria e rritjes dhe Shqipëria e mirëqenies, tre shtylla, një qëllim, një destinacion. Deri në vitin 2030, Shqipëria nuk do të trokasë më në derën e Europës, sepse dera do të jetë e hapur, dhe ne do të jemi brenda, me dinjitet të plotë dhe me besimin e patundur se gjenerata jonë ka ditur t’i japë historisë shqiptare një fitore që nuk kthehet pas.

Shqipëria Europiane

Shqipëria Europiane është misioni ynë kombëtar, ëndrra e brezave dhe detyra e gjeneratës sonë. Është busulla që i jep drejtim çdo vendimi dhe ritëm çdo reforme.

Synimi është i qartë dhe i afërt: anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030. Ky nuk është thjesht një akt diplomatik, por një proces transformues që e bën shtetin shqiptar më të drejtë, ekonominë më konkurruese dhe shërbimet publike më afër qytetarit.

Shteti i së drejtës është themeli i Shqipërisë Evropiane. Teksa konsolidojmë pavarësinë e gjyqësorit, orientohemi, përmes aleancës me teknologjinë, të kthejmë përfundimisht faqen e drejësisë shqiptare drejt një sistemi efiçent, pa tejzgjatje dhe me standardet më të larta të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve. Kodi i ri Penal dhe Kodi Civil do të jenë shtyllat e një legjislacioni modern të orientuar fuqimisht nga standardet evropiane.

Shteti digjital është fytyra moderne e qeverisjes. Shërbimet publike bëhen të thjeshta, të sigurta e të aksesueshme përmes e-Albania dhe asistentëve inteligjentë, të mbrojtura nga standard të sigurisë kibernetike që respekton standardet më të larta të BE-së. Çdo qytetar, në marrëdhënien e tij të përditshme me shtetin, duhet ta ndjejë Europën në xhepin e tij dhe në telefonin e tij.

Administrata publike ngrihet mbi integritet, transparencë, e redukim të burokracive përmes injektimit të digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale në të gjitha proceset e punës. Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm betejë morale, por kusht i panegociueshëm i integrimit. Prokurimet modernizohen, rritet llogaridhënia dhe shteti bëhet gjithnjë e më shumë partner më i besueshëm i qytetarit dhe biznesit.

Siguria publike dhe rendi janë themeli mbi të cilin ndërtohet mirëqenia e qytetarëve dhe besimi tek konsolidimi i imazhit të Shqipërisë si një vend i sigurt me qytete, fshtara dhe kufij të sigurt. Policimi modern, pajisur me teknologji, udhëhequr nga profesionalizmi dhe në bashkëpunim gjithnjë e më intensiv me partnerët evropianë e ndërkombëtarë, garanton rendin, parandalon krimin dhe vihet çdo ditë e më shumë në mbrojtje të të drejtave të çdo qytetari.

Siguria kombëtare dhe mbrojtja janë garancia e stabilitetit. Kapacitetet e emergjencave fuqizohen, forcat tona të armatosura modernizohen dhe ecin krah për krah me standardet e NATO-s. Një Shqipëri e fortë e bën më të fortë rajonin dhe e bën më të sigurt Europën. Politika e jashtme dhe diaspora janë ura jonë me botën. Diplomacia aktive e vendos Shqipërinë në qendër të dialogut dhe vendimmarrjes europiane, ndërsa diaspora jonë e fuqizuar bëhet ambasadorja më e besueshme e vendit tonë, duke hapur dyer për investime, tregje dhe talente.

Rezultatet janë të matshme dhe të prekshme: deri në vitin 2027 përmbyllim negociatat, në vitin 2028 nënshkruajmë Traktatin e Anëtarësimit dhe në vitin 2030 Shqipëria hyn me dinjitet në familjen europiane. Atë ditë, flamuri kuqezi do të valëvitet krenar mes flamujve të BE-së, jo si një vizitor i përkohshëm, por si pjesë e pandashme e saj. Ky është realiteti që ne do të ndërtojmë. Ëndrra e brezave nuk do të mbetet më vetëm ëndërr, por do të bëhet e ardhmja e fëmijëve tanë. Shqipëria Europiane nuk është një horizont i largët – është stacioni ynë i afërt, është rruga jonë e përbashkët, është fitorja e gjeneratës sonë.

Shtylla II:

Rritja Ekonomike e Qëndrueshme

Rritja ekonomike e qëndrueshme është boshti mbi të cilin ngrihet ky mandat qeverisës. Ajo nuk është thjesht një shifër në tabelat e ekonomisë, por është garancia që Shqipëria ecën përpara me financa të shëndosha, me sipërmarrje që inovon, me një treg pune më të drejtë dhe me një stabilitet makroekonomik që përkthehet në të ardhura më të larta dhe standard më të mirë jetese për çdo familje shqiptare. Rritja jonë është e lidhur me rregullat dhe disiplinën e Bashkimit Europian, sepse vetëm kështu Shqipëria bëhet pjesë e plotë e ekonomisë së madhe europiane.

Financat publike janë garancia e besimit dhe e qëndrueshmërisë. Ne synojmë një shtet që planifikon me përgjegjësi, shpenzon me mençuri dhe vepron me transparencë. Një arkitekturë fiskale e shëndoshë do të jetë ura mes rritjes dhe drejtësisë sociale: përmes barazisë tatimore, llogaridhënies dhe besimit mes shtetit dhe qytetarëve.

Qëndrueshmëria fiskale nuk është thjesht disiplinë; është premtimi që gjeneratat që vijnë të gjejnë një ekonomi më të fortë se sot.

Bizneset janë zemra e rritjes ekonomike. Një klimë e qëndrueshme investimesh, mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe hapësira të reja për inovacion e sipërmarrje janë prioritetet tona. Shqipëria po bëhet vend ku procedurat burokratike zvogëlohen, ku sipërmarrësit kanë akses më të lehtë në financa, ku konkurrenca është e ndershme dhe ku biznesi i ndershëm shpërblehet.

Tregu i punës është pasqyra e shëndetit të ekonomisë. Me garancinë rinore, të rinjtë hyjnë me më shumë mundësi në punë; arsimi dual lidh edukimin me jetën reale dhe biznesin; ndërkohë që politikat aktive të punësimit nxisin punë të denja dhe të mirëpaguara. Një ekonomi e qëndrueshme nuk matet vetëm nga rritja e PBB-së, por nga aftësia për të hapur vende pune të sigurta dhe për të rritur cilësinë e jetës së punonjësve. Infrastruktura moderne është motori i zhvillimit.

Portet, aeroportet dhe rrjetet rrugore lidhin tregjet, hapin korridore të reja tregtare dhe i japin Shqipërisë një lëvizshmëri të re. Ky investim krijon jo vetëm punë, por edhe rrit besimin e investitorëve se Shqipëria është një vend që ofron stabilitet, akses dhe perspektivë.

Energjia e së ardhmes është e pastër, e sigurt dhe e përballueshme. Vizioni ynë është të kthejmë potencialin energjetik të Shqipërisë në avantazh kombëtar: për një industri konkurruese dhe për një vend që bëhet pjesë aktive e tranzicionit të gjelbër europian. Energjia e gjelbër për ne është ekonomi, mjedis dhe siguri në të njëjtën kohë.

Inovacioni dhe teknologjia janë pasaporta e brezit të ri drejt botës. Shqipëria e vitit 2030 është një ekonomi që mendon dhe vepron dixhitalisht. Ne synojmë një shoqëri ku inovacioni është kulturë pune, ku teknologjia përmirëson shërbimet publike, ku startup-et kthehen në biznese konkurruese dhe ku inteligjenca artificiale shfrytëzohet me përgjegjësi për të rritur cilësinë e jetës. Vendi ynë do të jetë një hapësirë ku idetë lindin, rriten dhe depërtojnë në tregun europian.

Turizmi është vitrinë dhe motor i ekonomisë sonë. Ne shohim një Shqipëri që pret vizitorë gjatë gjithë vitit, me standarde të larta mikpritjeje, me identitet të fortë kulturor dhe me natyrë të mbrojtur. Me investime në infrastrukturë turistike, me diversifikim të ofertës, nga turizmi bregdetar te ai kulturor, malor, shëndetësor e sportiv – vendi ynë kthehet në një histori suksesi ndërkombëtar. Turizmi nuk është vetëm ekonomi, është histori, kulturë dhe vlerë e shtuar kombëtare.

Bujqësia dhe zhvillimi rural janë themeli i qëndrueshmërisë. Me teknologji moderne, zinxhirë të integruar prodhimi dhe akses më të madh në tregjet europiane, bujqësia shqiptare do të garantojë siguri ushqimore, do të mbështesë eksportet dhe do të lidhet drejtpërdrejt me turizmin. Zhvillimi rural do të thotë më shumë mundësi për fermerët, fshatra më të gjallë, ekonomi lokale më të forta dhe një territor të balancuar mes qytetit dhe fshatit.

Shqipëria e vitit 2030 është pjesë e plotë e Bashkimit Europian, me një ekonomi të hapur dhe konkurruese që ecën në një hap me vendet më të zhvilluara të kontinentit. Është një ekonomi e gjelbër dhe moderne, që i kthen çdo pikë rritjeje në më shumë mundësi, më shumë punë të mirëpaguara dhe më shumë mirëqenie të prekshme për qytetarët. Rritja ekonomike nuk është vetëm objektiv – ajo është rruga për një Shqipëri të fortë, të qëndrueshme dhe europiane.

Shtylla III:

Mirëqenie Për Të Gjithë

Mirëqenia është kontrata jonë me qytetarët – jo privilegj për pakicën, por e drejtë për çdo shqiptar. Ky është vizioni i Shqipërisë 2030: një vend me fytyrë njerëzore, me barazi shansesh dhe institucione që punojnë për qytetarin. Fëmijët dhe të rinjtë janë boshti i politikave tona. Nga çerdhja dhe kopshti, tek shkolla që përqafon teknologjinë dhe inteligjencën artificiale, nga arsimi profesional i lidhur me ekonominë reale tek universitetet me programe ndërkombëtare – ne garantojmë një sistem arsimor që i përgatit për të ardhmen.

Familja është zemra e shoqërisë. Një shtet social e modern duhet të sigurojë strehim të përballueshëm, mbështetje për prindërit e rinj, kujdes për personat me aftësi të kufizuara dhe shërbime sociale komunitare të afërta e cilësore.

Shëndetësia publike është themel i mirëqenies. Ajo nis falas tek mjeku i familjes, mbështetet në spitale të modernizuara dhe funksionon me dosje e receta elektronike, duke u garantuar qytetarëve kujdes shëndetësor cilësor, të barabartë dhe dinjitoz.

Pensionet janë garancia e shtetit për dinjitetin e brezit që ka ndërtuar vendin. Ne do të sigurojmë që çdo pensionist të ketë jo vetëm një mbështetje të drejtë financiare, por edhe akses në shërbime shëndetësore, sociale dhe komunitare që e bëjnë jetën më të sigurt dhe më të plotë.

Rinia është energjia e ndryshimit. Për të rinjtë, kalimi nga shkolla në punë duhet të jetë i lehtë; start-up-et inovative dhe sipërmarrja e re duhet të mbështeten; sporti dhe kultura duhet të jenë pjesë e përditshmërisë. Sepse rinia është gjeneratori i progresit, i krijimtarisë dhe i besimit tek e ardhmja.

Sporti dhe kultura nuk janë luks, por oksigjeni i përditshëm i shoqërisë. Ato gjallërojnë komunitetet, forcojnë identitetin tonë, rrisin shëndetin dhe krijojnë mundësi të reja për të rinjtë. Çdo qytet duhet të ketë hapësira sportive dhe kulturore të hapura, të aksesueshme, që na lidhin e na frymëzojnë si shoqëri.

Mjedisi dhe ekonomia e gjelbër janë garancia e zhvillimit të qëndrueshëm. Shqipëria duhet të rritet pa e shkatërruar natyrën. Riciklimi, hapësirat e gjelbra dhe menaxhimi modern i mbetjeve urbane do të bëhen pjesë e zakoneve të përditshme të qytetarëve dhe politikave publike.

Bashkitë janë krahu i shtetit që sjell shërbimin te dera e qytetarit. Me digjitalizim, financa të forta dhe administratë të motivuar me paga dinjitoze, ato do të sigurojnë shërbime publike cilësore, qendra urbane moderne dhe një portë të hapur për zhvillim.

SHQIPËRIA EUROPIANE

Shtylla I – SHQIPËRIA EUROPIANE

1.1. Anëtarësimi në Bashkimin Europian

a) Çfarë Arritëm Së Bashku

Me votën plebishitare të 12 majit shqiptarët na besuan bujarisht përgjegjësinë e madhe për të përshpejtuar, pa kthim mbrapa, rrugëtimin e Shqipërisë si anëtare e Bashkimit Evropian brenda vitit 2030, si mundësia jonë unike dhe e papërsëritshme për të shënuar pikën e kthesës në historinë e Shqipërisë.

Me anëtarësimin në BE, pasaporta shqiptare do të mbajë simbolin e Bashkimit Europian, për të garantuar lëvizje të lirë pa radhë e pa kontrolle, ndërsa qytetarët tanë do të gëzojnë status e të drejta të barabarta në të gjithë Bashkimin Evropian, me mundësi të njëjta jetese, punësimi, investimi dhe edukimi. Ndaj do të punojmë deri që finalizimin e këtij rrugëtimi ta meritojmë deri në fund — që Shqipëria të mos trokasë, por të hyjë dhe të ulet denjësisht në tryezën e të barabartëve evropianë, brenda kësaj dekade.

Ngritur mbi themelet e refomës së thellë në drejtësi, vendosjes së besimit në funksionimin e institucioneve që luftojnë krimin e organizuar e korruptionin, kthimin e Shqipërisë në një partner të besueshëm me të gjitha organizatat partnere dhe ato ndërkombëtare në garantimin e sigurisë së përbashkët, përqendrohemi tashmë tek konsolidimi dhe modernizimin si pikëprerje për të gjithë reformat që e bëjnë Shqipërinë të anëtarësohet me dinjitet në Familjen e Madhe të Evropës së Bashkuar.

Sot jemi në afër se kurrë kësaj ëndrre sa të vjetër dhe aktuale edhe në sajë të përqafimit të inovacionit në çdo hap të qeverisjes dhe ofrimit të shërbimeve publike ndaj qytetarëve dhe biznesit, kemi shndërruar Shqipërinë në një nga vendet më të avancuar në rajon për qeverisjen digjitale dhe vënien e inteligjencës artificiale në funksion të procesit të negociatave, luftës kundër korrupsionit, si themele të një administrate që sheh vetëm përpara drejt finishit të anëtarësimit.

b) Destinacioni Ynë

Europian Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është prioriteti mbi prioritetet i kësaj dekade—busulla që drejton çdo vendim strategjik. Është misioni kombëtar që riformaton në themel shtetin: institucione më të forta, shërbime më cilësore, ekonomi më konkurruese. Si pjesë e familjes evropiane, çlirojmë potencialin e plotë zhvillimor me të njëjtat standarde dhe akses të gjerë në politikat e instrumentet e BE-së.

c) Punët Tona Përpara

Përmbyllim negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027, duke hapur dhe mbyllur të gjithë kapitujt e acquis.
Nënshkruajmë Traktatin e Anëtarësimit në BE deri në vitin 2028 dhe mundësojmë ratifikimin në parlamentet kombëtare të vendeve anëtare.
Anëtarësohemi plotësisht në BE brenda vitit 2030, duke siguruar akses të barabartë për qytetarët dhe bizneset në tregun e përbashkët.
Harmonizojmë plotësisht legjislacionin dhe politikat publike me acquis communautaire, duke përdorur për hërë të parë ne procesin e integrimit inteligjencën artificiale për ta ulur kohën e transpozimit nga 7 në vetëm 2 vite.
Rrisim përthithjen e fondeve të BE-së në 1.25 miliardë euro deri në vitin 2030, përmes instrumenteve si RGF dhe IPA III.
Rrisim praninë e Shqipërisë në institucionet e BE-së, si anëtarë ose vëzhgues, duke integruar ekspertët tanë në strukturat vendimmarrëse europiane.
Forcojmë kapacitetet e administratës publike me trajnim dhe struktura të posaçme për negociatat, duke përgatitur vendin për zbatimin e fondeve strukturore pas anëtarësimit.
Konsolidojmë partneritetet strategjike dypalëshe me vendet anëtare për mbështetje politike dhe teknike të anëtarësimit.
Rrisim ndërgjegjësimin publik për përfitimet e anëtarësimit dhe përgatisim qytetarët e bizneset për akses të plotë në tregun e përbashkët europian.

1.2. Shteti Digjital dhe Siguria Kibernetike

a) Çfarë Arritëm Së Bashku

Në dekadën e fundit, Shqipëria ka kaluar nga një administratë e ngadaltë me sportele fizike, në një shtet digjital ku 95% e shërbimeve publike ofrohen online përmes platformës e-Albania. Nga vetëm 14 shërbime digjitale në vitin 2014, sot qytetarët dhe bizneset kanë akses në 1,250 shërbime publike. Digjitalizimi ka kursyer 620 milionë Euro dhe mbi 1,100 vite pritje radheve per qytetaret dhe bizneset. Falë revolucionit digjital të kësaj dekade, shumë shërbime merren me një klikim, e të tjerat pa nevojën e ngarkimit të dokumenteve shtesë nga qytetarët e bizneset, duke eliminuar rradhët, por edhe duke shkëputur njëherë e mirë zinxhirin korruptiv në sportele. Sot, Diella, asistentja digjitale e zhvilluar përmes inteligjencës artificiale jo vetem orienton çdo qytetar për të marrë shërbime publike në kohë të shpejtë vetëm përmes një komandë zanore, por ofron edhe 54 dokumente me vulë elektronike.

Shqipëria eshte vendi i vetëm në rajon që po përdor inteligjencën artificiale për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke automatizuar përkthimin dhe përafrimin e legjislacionit me acquis e BE-se, duke lehtësuar punën e institucioneve dhe duke e vendosur vendin tonë në pararojë të integrimit europian. Në sajë të një vëmendje të posaçme për ruajtjen e integritit të sistemeve tona, sot Shqipëria është ndër vendet e para në rajon që ofron mbrojtje proaktive kibernetike, duke i bërë ballë me shumë profesionalizëm të gjithë sulmeve te sofistikuara të përditshme, nga aktorë keqdashës, .

b) Destinacioni Ynë

Europian Shqipëria 2030 përqafon digjitalizimin dhe inovacionin në çdo hallkë të qeverisjes dhe konsolidon një ekosistem kombëtar të sigurisë kibernetike, të çertifikuar sipas standardeve të BE-së.

Shërbime publike të thjeshta, të sigurta dhe të aksesueshme nga telefoni apo kompjuteri për çdo qytetar dhe biznes. Sistemet tona komunikojnë drejtpërdrejt me platformat e BE-së, që qytetarët shqiptarë të përfitojnë të njëjtat shërbime si në tregun e vetëm digjital. Zbatojmë plotësisht legjislacionin e ri të BE për mbrojtjen e të dhënave personale, duke rritur besimin e qytetarëve dhe investitorëve. Garantojmë zhvillimin e inteligjencës artificiale në përputhje me EU AI Act, duke siguruar përdorim të sigurt, etik dhe transparent. Inovacioni me inteligjencë artificiale, infrastruktura e avancuar teknologjike dhe platformat e te dhenave te hapura do të jenë motori i këtij transformimi drejt integrimit europian.

c) Punët Tona Përpara

Përfundojmë transformimin e e-Albania 2.0 sipas modelit “life events”, duke ofruar shërbime proaktive ku shteti shkon te qytetari dhe të personalizuara sipas rrethanave të jetës.
Shndërrojmë Diellën në asistenten personale të çdo qytetari dhe biznesi, duke e udhëhequr hap pas hapi në marrjen e shërbimeve elektronike dhe në plotësimin e aplikimeve në e-Albania.
Digjitalizojmë të gjitha shërbimet publike në nivel vendor për t’i ofruar në e-albania, sipas modelit të shërbimeve publike në nivel qendror.
Krijojmë një sistem tërësisht të automatizuar të prokurimeve publike me Inteligjencë Artificiale, të ndërveprueshëm edhe me sistemet e Bashkimit Evropian, duke eliminuar korrupsionin, abuzimet dhe ndërhyrjen njerëzore.
Krijojmë Dosjen Elektronike Shëndetësore për çdo qytetar, sipas standardeve të BE-së, për shërbim shendetesor më cilësor dhe me të aksesueshem.
Përdorim inteligjencën artificiale në radiologji për të analizuar imazhet mjekësore në mënyrë të automatizuar, duke ndihmuar mjekët të identifikojnë me shpejtësi dhe saktësi diagnozat (si kanceret në faza të hershme, anomalitë pulmonare apo sëmundjet kardiake), duke ulur normën e gabimeve dhe duke rritur cilësinë e shërbimit shëndetësor.
Zbatojmë inteligjencën artificiale në sistemet tatimore dhe doganore për të identifikuar në kohë reale anomalitë, duke rritur transparencën, ulur evazionin dhe përshpejtuar procedurat për qytetarët dhe bizneset.
Vendosim Inteligjencën Artificiale në qendër të emergjencave civile kombëtare, duke identifikuar në kohë reale rreziqet (zjarre, tërmete, trafik ajror, trafik tokësor etj.) • Vëmë në funksion Portofolin e Identitetit Digjital, me dokumente identifikimi të vlefshme në të gjithë BE-në nga viti 2027.
Kthejmë Platformën e Bashkëqeverisjes nga një mekanizëm ndërveprimi në një sistem inteligjent, të fuqizuar nga AI, që analizon automatikisht ankesat, sugjeron zgjidhje ligjore dhe gjeneron rekomandime për reforma – nje model ne përputhje të plotë me standardet e BE-së për qeverisjen digjitale.
Përdorim inteligjencën artificiale mbi të dhënat bujqësore, meteorologjike dhe satelitore, për të krijuar sisteme parashikuese mbi prodhimin dhe cilësinë e të korrave, duke ulur rrezikun nga përmbytjet, thatësirat apo fatkeqësi të tjera natyrore dhe duke garantuar sigurinë ushqimore afatgjatë.
Implementojmë European Case Law Identifier (ECLI) në Shqipëri, duke i dhënë çdo vendimi gjyqësor një identifikues unik dhe të krahasueshëm me jurisprudencën evropiane.
Hapim epokën e re të shërbimeve konsullore me apostilim elektronik të dokumenteve, në të gjithë hapësirën evropiane, sipas parimit “Once Only”.
Krijojmë AI Factory si motorin kombëtar të inteligjencës artificiale për krijimin e zgjidhjeve inovative ne administratën publike, ne ekonomi dhe ne shoqeri.
Vijojmë nismën “Government AI Campus”, për ndërtimin e kapaciteteve të nëpunësve civilë në përdorimin etik dhe efektiv të AI, nga shëndetësia deri te arsimi dhe shërbimet ndaj qytetarëve.
Ngrejmë Qendrën Kombëtare të Përpunimit të Larte (HPC) për analizë të avancuar të të dhënave dhe trajnime të modeleve te inteligjencës artificiale ne dispozicion te qeverise, akademise dhe sipermarrjeve, duke vendosur në zemër të zhvillimit kombëtar fuqinë e teknologjisë.
Shndërrojmë Portalin e të Dhënave të Hapura në një platformë transparence dhe inovacioni, duke e pozicionuar Shqipërinë si qendër rajonale të ekonomisë së të dhënave.
Transformojmë qendrat ADISA në Qendra Rinore të Inovacionit, duke nxitur e zhvilluar aftësi te avancuara digjitale të të rinjve.
Shtijmë rrjetin e Smart Labs në të gjitha shkollat, duke ofruar bazën teknologjike për përdorimin e AI për mësim të personalizuar dhe simulime edukative, në përputhje me standardet e BE-së për laboratorë inovativë në arsim.
Nisim projektin kombëtar për Smart City, duke e kthyer çdo qytet në një organizëm inteligjent, ku të dhënat mblidhen dhe analizohen në kohë reale për trafikun, sigurinë, energjinë dhe emergjencat. Qyteti do të bëhet një hapësirë ku teknologjia i paraprin nevojave të përditshme të qytetarëve.
Shtrijmë GovNet Broadband në të gjithë vendin duke garantuar lidhje të sigurt mes sistemeve qeveritare në mbarë territorin dhe ngremë Qendren e Vazhdueshmërisë dhe Rimëkëmbjes së Punës (Business Continuity and Data Recovery Center – BCC/DRC) për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve ne 99.9% te kohës.
Forcojmë mbrojtjen kibernetike kombëtare përmes përdorimit të platformave të avancuara të monitorimit te dark web-it dhe inteligjencës së kërcënimeve, duke e shndërruar Qendrën Qeveritare Operacionale të Sigurisë në një Qendër të Inovacionit për Sigurinë Kibernetike.

1.3. Administrata Publike, Antikorrupsioni dhe Transparenca

a) Çfarë Arritëm Së Bashku

Në harkun e dhjetë viteve, Shqipëria ka kaluar nga një administratë e ngadaltë, me sportele të mbingarkuara dhe shërbime të centralizuara, në një administratë moderne, digjitale dhe me integritet. Sot, mbi 95% e shërbimeve publike ofrohen online përmes platformës e-Albania, duke kursyer kohë, para dhe duke eliminuar kontaktin fizik që ushqente korrupsionin e vogël. Jo vetëm shërbimet publike, por edhe njerëzit pas tyre kanë qenë në qendër të reformës, pasi çdo punonjës publik është fytyra e shtetit para qytetarit dhe meriton trajtim me dinjitet për kontributin e përditshëm.

Paga mesatare në administratë është rritur nga 530 euro në vitin 2013 në 1.050 euro në vitin 2025 – një hap historik që jo vetëm i jep vlerën e duhur shërbimit publik, por edhe e bën shtetin më të fortë në shërbim të qytetarëve. Raporti i Monitorimit të SIGMA 2024 ka renditur Shqipërinë ndër vendet më të avancuara në rajon për menaxhimin e financave publike, burimeve njerëzore dhe politikave të reformës në administratë. Në fushën e luftës kundër korrupsionit, reformat e thella në drejtësi dhe digjitalizimi i shërbimeve kanë ndikuar rrënjësisht në prerjen e zinxhirëve korruptive. Paralelisht, prokurimi publik ka kaluar një transformim të plotë me sisteme elektronike, duke rritur transparencën dhe duke ulur abuzimet si dhe duke kursyer progresivisht gjithnjë e më shumë të ardhura nga buxheti i shtetit.

b) Destinacioni Ynë Europian

Ndërtimi i një shteti “të zgjuar”, transparent dhe me integritet, si motor i procesit të anëtarësimit në BE. Kjo do të thotë administratë pa burokraci të panevojshme dhe me përdorim të avancuar të inteligjencës artificiale në të gjithë proceset e punës dhe e aftë të parashikojë nevojat e qytetarëve dhe biznesit. Lufta kundër korrupsionit do të ngrihet në një nivel të ri, duke e bërë integritetin dhe transparencën busull të çdo vendimmarrjeje dhe duke përqendruar vëmendjen në sektorët me risk të lartë korrupsioni.

c) Punët Tona Përpara

Kalojmë drejt një administrate “pa letër”, duke reduktuar ndjeshëm përdorimin e dokumentacionit fizik dhe duke avancuar digjitalizimin e plotë të komunikimit ndërinstitucional dhe me qytetarët.
Transformojmë Sistemin e Burimeve Njerëzore përmes digjitalizimit tërësor të proceseve dhe inteligjencës artificiale, duke automatizuar pagat, vlerësimin e performancës dhe parashikimin e nevojave për zhvillim kapacitetesh.
Thellojmë reformën në shërbimin civil për të garantuar rekrutime transparente dhe meritokratike, përmes një portali unik rekrutimi dhe një asistenti digjital 24/7 për aplikimet.
Përqendrohemi te parandalimi i korrupsionit, përmes ngritjes së një sistemi të identifikimit, vlerësimit dhe minimizimit të rreziqeve të korrupsionit në prona, tatime, dogana, shëndetësi, arsim, prokurime dhe kontrata publike.
Shndërrojmë platformën “Transparent Albania” në portën unike më të besuar të transparencës mbi shpenzimet dhe projektet publike, duke vënë në përdorim inteligjencën artificiale për të gjurmuar automatikisht të dhënat publike, monitoruar proceset dhe forcuar llogaridhënien.
Zbatojmë Prokurimin Smart, një nga sistemet e para në Evropë me motor të inteligjencës artificiale dhe procese të robotizuara.

1.4. Drejtësia dhe të Drejtat Themelore

a) Çfarë Arritëm Së Bashku

Reforma në Drejtësi është transformimi më i madh institucional në historinë e shtetit shqiptar, i nisur nga qeveria shqiptare me mbështetjen e partnerëve europianë dhe amerikanë duke u shndërruar në “kalin e betejës” së Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë pluraliste, produkte të kësaj reforme në drejtësi janë institucione të cila dita-ditës rifitojnë besimin e qytetarëve në luftën ndaj pandëshkueshmërisë. Në këtë fazë kritike të negociatave, vëmendja përqendrohet në forcimin e një drejtësie të pavarur dhe efiëente të bazuar mbi standarde, që përqafon inovacionin dhe i përgjigjet me përpikmëri detyrimeve që burojnë nga piketat e ndërmjetme dhe Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës në kuadër të anëtarësimit në BE.

Kodi i ri Penal është në fazë të avancuar: një qasje moderne që pasqyron zhvillimet shoqërore, mbron më fort viktimat, vendos sanksione proporcionale dhe garanton përputhje të plotë me acquis të BE-së në fushën penale në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Paralelisht, po harmonizojmë legjislacionin civil me këto standarde nëpërmjet një Kodi të ri Civil. Falë përpjekjeve të shumëfishta me partnerët është mundësuar finanzimi i plotë i Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore me mbështetjen e BE-së dhe Suedisë, duke hapur rrugën për përdorimin e inteligjencës artificiale në drejtësi. Investimet në e institucionet penitenciare, si dhe miratimi i Masterplanit të Burgjeve, kanë qënë baza për forcimin e kapaciteteve të këtij sistemi, në funksion të garantimit të të drejtave të personave që vuajnë dënimet me burgim.

b) Destinacioni Ynë

Europian Konsolidimi i një sistemi drejtësie të pavarur, të paanshëm, efikas dhe të aksesueshëm për çdo qytetar, sipas standardeve evopriane që mbron të drejtat dhe liritë themelore. Anëtarësimi në BE kërkon një shtet funksional ku sundimi i ligjit është themel, ndaj mbështetja ndaj drejtësisë është prova më e fortë e seriozitetit të Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Duke u ngritur mbi arritjet e deritanishme, do të kontribojmë në drejtësi që garanton standarde, respekton të drejtat themelore të njeriut dhe lufton pa kompromis kriminalitetin. Digjitalizimi i shërbimeve gjyqësore dhe përmirësimi i infrastruktursë fizike do të jetë hapi cilësor në funksion të rritjes së efiçencës dhe shpejtësisë së ofrimit të shërbimeve gjyqësore për qytetarët që do ta bëjnë sistemin më transparent, më të shpejtë dhe më afër qytetarëve.

c) Punët Tona Përpara

Fuqizojmë standardet e reformës në drejtësi, duke rishikuar legjislacionin sipas detyrimeve të ndërmarra në kuadër të negociatave me BE-në.
Miratojmë Kodin e ri Penal dhe Kodin e ri Civil, të përafruar me standardet e BE-së.
Funksionalizojmë Sistemin e Integruar të Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë deri në vitin 2028, duke përfshirë module të inteligjencës artificiale për menaxhimin e çështjeve.
Modernizojmë infrastrukturën gjyqësore, me ndërtimin dhe rikonstruksionin e gjykatave e prokurorive sipas standardeve më të mira në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve ofruar qytetarëve.
Zbatojmë Masterplanin e Burgjeve dhe përmirësojmë kushtet e të paraburgosurve dhe të dënuarve, duke reduktuar recidivizmin.
Hapim Institutin për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve, duke ndërtuar një sistem të drejtësisë penale për të mitur sipas standardeve europiane.

1.5. Politika e Jashtme dhe Diaspora

a) Çfarë Arritëm Së Bashku

Politika e jashtme e Shqipërisë gjatë dekadës së fundit është ndërtuar mbi parimin e një aleance të patjetërsueshme me SHBA-në dhe Bashkimin Europian, si dhe mbi angazhimin aktiv në NATO dhe organizatat ndërkombëtare. Shqipëria ka forcuar profilin e saj global duke kryesuar OSBE-në, shërbyer si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe duke marrë role të kyçe në UN Women, UNESCO dhe Këshillin e të Drejtave të Njeriut. Shqipëria ka ndërtuar gradualisht një diplomaci aktive dhe zhvillimore, e cila i ka shërbyer integrimit europian, forcimit të stabilitetit rajonal dhe avancimit të interesave kombëtare. Pjesëmarrja në nisma rajonale dhe organizimi i Samitit të Komunitetit Politik Europian (2025) dhe Samitit të NATO-s (2027) në Tiranë e kanë pozicionuar vendin si një faktor kyç stabiliteti dhe një promotor të bashkëpunimit ndërkombëtar. Përmes marrëveshjeve strategjike me Italinë, SHBA, Francën, Kroacinë, Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, kemi rritur dita-ditës rolin e diplomacisë ekonomike për rritjen e ndjeshme të investimeve të huaja në Shqipëri dhe eksportet shqiptare jashtë vendit. Paralelisht, shërbimi konsullor është modernizuar me digjitalizim, hapjen e 52 shërbimeve online për diasporën dhe njohjen e patentave shqiptare në 11 shtete.

b) Destinacioni Ynë

Europian Përmes diplomacisë aktive Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030 dhe të konsolidojë pozicionin e saj si faktor stabiliteti e besueshmërie në rajon dhe botë. Diplomacia do të orientohet drejt mbrojtjes së interesave kombëtare, zgjerimit të marrëdhënieve strategjike dypalëshe, pjesëmarrjes në politikën e jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së dhe promovimit të diasporës shqiptare si një forcë zhvillimi. Përdorimi i inovacionit edhe në politikën e jashtme do të forcojë analizën strategjike, ndërsa diplomacia digjitale do ta bëjë Shqipërinë më të pranishme dhe më konkurruese në arenën globale.

c) Punët Tona Përpara

Thellojmë partneritetet strategjike dypalëshe me SHBA dhe vendet e BE-së për të përshpejtuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri në 2030; konsolidojmë partneritetin me Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar në energji, siguri, teknologji dhe bujqësi.
Organizojmë me sukses Samitin e NATO-s në Tiranë (2027) dhe forcojmë profilin rajonal të Shqipërisë si garant i stabilitetit.
Zgjerojmë rrjetin diplomatik me të paktën 10 përfaqësi të reja deri në 2029 dhe konsolidojmë rolin e atasheve ekonomikë.
Ngremë një “One-Stop Shop” për investitorët e huaj.
Dyfishojmë investimet e huaja direkte dhe rrisim eksportet me mbi 10% mesatarisht në vit, përmes diplomacisë ekonomike.
Promovojmë identitetin shqiptar në arenën ndërkombëtare përmes diplomacisë kulturore dhe shkencore, duke forcuar imazhin e Shqipërisë si vend europian dhe modern.

1.6 Mbrojtja dhe Siguria Kombëtare

a) Çfarë Arritëm Së Bashku

Nga një sektor i nënfinancuar, në dekadën e kaluar Mbrojtja është kthyer në një shtyllë të sigurisë kombëtare dhe instrument i kontributit të Shqipërisë në sigurinë rajonale. Investimet janë rritur nga 28 milionë euro në mbi 280 milionë euro, dhe buxheti i Mbrojtjes në tërësi ka kaluar për herë të parë mbi 2% të PBB. Modernizimi i Forcave të Armatosura është bërë realitet me pajisjen e flotës ajrore me helikopterët Black Hawk, krijimin e Komandës kibernetike, vendosjen në funksion të dronëve Bayraktar dhe inaugurimin e Bazës Ajrore Taktike të NATO-s në Kuçovë. Kërcënimet hibride të dekadës së tretë të shekullit XXI dhe epoka e paparashikueshmërisë së ushtrimit të forcës diktojnë nevojën që Mbrojtja të qëndrojë në ballë të përparësive tona, nën udhëheqjen e interesave kombëtare, integrimit të vendit në BE dhe përgjegjësive tona brenda NATO-s. Në këtë kontekst, organizimi i Samitit të NATO-s në Shqipëri në vitin 2027, përbën një gur kilomentrik.

b) Destinacioni Ynë Europian

Programi « Mbrojtja 2030 » siguron më shumë burime financiare për mbrojtjen, përmes një rritje vjetore të buxhetit me jo më pak se 0.15 pikë mbi normën aktuale prej 2,01% të PBB, si dhe duke mobilizuar të ardhurat nga industria ushtarake dhe mirëadministrimi i aseteve. Kjo përpjekje financiare kombëtare është parakushti për realizimin e vizionit tonë për një Shqipëri të sigurt dhe strukturalisht të qëndrueshme në kapacitetet e saj mbrojtëse, reaguese dhe prodhuese, mbështetur në pesë shtylla veprimi:

c) Punët Tona Përpara

Shtojmë dhe forcojmë burimet njerëzore të Forcave të Armatosura, si një rezervë kombëtare e kapitalit njerëzor duke vendosur në qendër aftësitë dhe etikën luftarake, ekselencën akademike, disiplinën, kulturën e gjithanëshme, vetëdijen historike dhe patriotizmin. Paga e ushtarakëve, aktualisht më e larta në rajon, do vijojë të rritet dhe do të arrijë mesataren e NATO-s në vitin 2029.
Zhvillojmë industrinë ushtarake « Made in Albania » për prodhimin e municioneve, armatimit të lehtë, mjeteve të blinduara, mjeteve të emergjencave civile dhe sistemeve pa pilot, duke e shndërruar vendin në një qendër rajonale të industrisë së mbrojtjes. Zgjerojmë gjithashtu kapacitetet detare me tre anije të reja dhe modernizojmë flotën ekzistuese.
Modernizojmë dhe zhvillojmë infrastrukturën kritike duke përmbyllur brenda vitit 2029: investimet në Korridorin VIII-të për mobilitetin e Aleancës, me pikënisje në Porto Romano; kantjerin e Spitalit të Traumës; Shkollën e Aviacionit në Vlorë; Kampusin e Ri të Akademisë së Forcave të Armatosura; Kompleksin e Inovacionit Ushtarak në Bërzhitë dhe Poligonin Ndërkombëtar në Bizë. Vijojmë gjithashtu programin kombëtar të infrastrukturës parandaluese duke ri-kualifikuar ura, diga dhe prita lumore.
Fuqizojmë mbrojtjen civile duke investuar në dy avionë zjarrfikës, flotë të përforcuar tokësore dhe katër qendra të reja rajonale të emergjencave civile. Forcojmë aftësitë reaguese në territor me zgjidhje inovative, sisteme inteligjente dhe jetësimin e numrit kombëtar/ndërkombëtar 112.
Dixhitalizojmë mbrojtjen dhe sigurinë kombetare: duke nisur nga mbrojtja kibernetike, kapacitetet anti-dron, sistemet e komandim kontrollit dhe deri tek sistemet satelitore, inovacioni do të jetë në qendër të investimeve modernizuese në të gjithë spektrin e aktivitetit ushtarak dhe civil, në veçanti për sa i përket përsosjes së inteligjencës ushtarake, mbrojtjes civile dhe sistemeve të luftimit.

1.7 Siguria Publike

a) Çfarë Arritëm Së Bashku

Në më shumë se një dekadë, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë kaluar një proces të thellë transformimi, duke vendosur në qendër të politikave sigurinë publike, modernizimin institucional e bashkëpunimin ndërkombëtar. Rezultatet dëshmojnë ndryshim të prekshëm për jetën e qytetarëve, në perceptimin e tyre për sigurinë dhe në pozicionimin e Shqipërisë si një partner i besueshëm në arenën europiane e globale. Përmes krijimit të zonave policore dhe afrimit të shërbimeve me komunitetin, sot, 82% e qytetarëve ndihen të sigurt në lagjen e tyre, nga vetëm 63% në vitin 2013. Krimet ndaj personit kanë njohur një ulje historike, gati tri herë më pak, ndërsa fatalitetet nga aksidentet rrugore ranë, krahasuar me 2013, vitin e fundit janë 120 jetë të shpëtuara më shumë.

Shqipëria është vendi i parë jashtë BE-së, ku nisën operacionet e përbashkëta me FRONTEX, të cilat u zgjeruan në rajon. Qindra operacione të përbashkëta me partnerët, shkëmbime informacioni përmes INTERPOL dhe EUROPOL, si dhe pjesëmarrja në rrjetin EN-FAST për kapjen e personave në kërkim, dëshmojnë besueshmërinë e autoriteteve tona lizgjzbatuese. U ngrit Zyra për Rikuperimin e Aseteve dhe u forcua po ashtu i gjithë procesi i administrimit të pasurive të sekusestruara dhe konfiskuara, duke orientuar përdorimin e tyre për qllime sociale. Projekti “Çdo shqiptar një adresë” i dha fund kaosit mbi regjistrimin e vendbanimeve. Si dhe u krijua me sukses “IdentiTek” SH.A., për prodhimin e dokumenteve biometrike të standardeve më të larta për qytetarët, brenda e jashtë vendit.

b) Destinacioni Ynë Europian

Shqipëria 2030, shtet i sigurt. Shfrytëzojmë inovacionin teknologjik për mbrojtjen e qytetarëve, rritim kontrollin e territorit dhe kufijve tanë, si dhe garantojmë reagim të shpejtë e në kohë ndaj emergjencave. Në qendër të reformave është mbështetja e luftës kundër kriminalitetit, menaxhimi i integruar i kufijve dhe migracionit, si dhe intensifikimi i bashkëpunimit ndërkombëtar përmes aplikimit të teknologjisë inteligjente. Parimi “Kufij të hapur, por të sigurt” dhe akreditimi sipas standardeve ISO udhëheqin modernizimin e shërbimeve policore. Përmes qasjes “Smart City” orientohemi drejt parandalimit të paligjshmërisë dhe reagimit të shpejtë.

c) Rezultate të Pritshme

Përafrojmë legjislacionin me të gjithë kuadrin e BE-së kundër krimit të organizuar, trafikimit, pastrimit të parave, terrorizmit dhe krimeve ndaj të miturve.
Funksionalizojmë projektin “Smart City” si Qendër operacionale Unike: Rrjet i integruar kamerash/sensorësh, dronë dhe aplikacione ndërvepruese; ulet koha mesatare e reagimit policor në ≤7 minuta në 20 qytete deri në 2030;
Rritim sigurinë rrugore: 30% më pak fatalitete deri në 2030 përmes monitorimit inteligjent, edukimit dhe ndërhyrjeve infrastrukturore që shpëtojnë jetë;
Kontrollojmë territorin me Hartën Digjitale të Kriminalitetit, përdorim sistematik i dronëve/satelitëve dhe sanksione efektive kundër informalitetit dhe ndërtimeve pa leje – nga sinjalizimi, te pezullimi e prishja, me gjurmueshmëri të plotë e pa subjektivizëm;
Operacionializojmë plotësisht Zyrën e Rikuperimit të Aseteve dhe kthejmë pasuritë kriminale në investime komunitare, si: shkolla, qendra rinore, hapësira publike;
Modernizojmë identitetin digjital dhe dokumentet biometrike: Pasaporta të reja me elementë sigurie të avancuar dhe e-Tracking; digjitalizojmë Arkivën e Gjendjes Civile dhe krijojmë regjistër të unifikuar adresash (përfshirë diasporën);
Menaxhojmë kufijtë dhe migracionin sipas standardeve të Schengen-it: Model ‘Një ndalesë’ në Pikat Kufitare; ndërtojmë plane kontigjence dhe ngremë Qendër të dedikuar për të Miturit e Huaj të Pashoqëruar;
Forcojmë reagimin ndaj zjarreve: Ngremë Qendrën e Përbashkët të Koordinimit për stacionet zjarrfikëse dhe Qendrën Kombëtare të Trajnimit, për veprime ndërinstitucionale në kohë reale, stërvitje sezonale dhe zbulim të hershëm të zjarreve me teknologji inteligjente.

RRITJA EKONOMIKE E QËNDRUESHME
Shtylla II – RRITJA EKONOMIKE E QËNDRYESHME

2.1 Financat Publike dhe Politika Fiskale

a) Çfarë Arritëm Së Bashku

Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit ekonomik, duke trefishuar potencialin e saj prodhues dhe duke e kthyer rritjen në mirëqenie të prekshme për qytetarët. Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur mbi 2.5 herë, nga 9.6 miliardë euro në vitin 2013 në mbi 25 miliardë euro sot, duke garantuar më shumë ekonomi aktive, më shumë vende pune dhe më shumë investime për të ardhmen. Të ardhurat për frymë janë trefishuar, nga 3,324 euro në vitin 2013 në mbi 10,342 euro në vitin 2024, një dëshmi e qartë se zhvillimi ekonomik është shndërruar në përmirësim real të standardit të jetesës në çdo familje shqiptare, duke u rritur edhe më shpejtë se mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në tregun e punës, Shqipëria ka arritur rezultate historike: papunësia është ulur nga 17.5% në 8.8%, ndërsa papunësia rinore ka rënë nga 31.4% në 19.1%, duke krijuar më shumë mundësi për të rinjtë. Rritja e të ardhurave nga puna është po aq e dukshme: paga mesatare është rritur nga 322 euro në 830 euro, ndërsa paga minimale është më shumë se dyfishuar, nga 157 euro në 400 euro, duke fuqizuar të ardhurat e qytetarëve dhe përmirësuar jetesën e çdo familjeje. Një tjetër arritje kyçe është konsolidimi fiskal: megjithë përballjen me tre goditje tejet të forta (tërmeti, pandemia dhe kriza energjitike), borxhi publik është ulur ndjeshëm nga 70.3% e PBB-së në 54.2%, duke krijuar hapësira më të mëdha për investime strategjike dhe duke kursyer çdo vit rreth 300 milionë euro për buxhetin e shtetit.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka trefishuar eksportet e saj, duke i çuar nga 2.8 miliardë euro në vitin 2013 në 8.4 miliardë euro sot, duke e bërë ekonominë shqiptare më konkurruese dhe më të hapur ndaj tregjeve ndërkombëtare.

b) Destinacioni Ynë Europian

Objektivi ynë është garantimi i stabilitetit makroekonomik, dhe ndërtimi i një sistemi të konsoliduar fiskal modern, transparent dhe në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Europian.

c) Punët Tona Përpara

Rrisim të ardhurat për frymë për qytetarët me rreth 40%, duke i çuar në 15.000 euro deri në vitin 2029;
Vijojmë me rritjen ekonomike me rreth 4% në vit duke e çuar prodhimin e brendshëm bruto në 35 miliardë euro deri në fund të mandatit;
Vijojmë me konsolidimin fiskal, duke reduktuar gradualisht deficitin buxhetor dhe duke ulur borxhin publik;
Do të vijohet me rritjen e shpenzimeve të drejtpërdrejta të Qeverisë për mbrojtjen sociale për të garantuar dinjitet dhe mbështetje për të gjithë qytetarët në nevojë;
Ruajmë stabilitetin e çmimeve dhe objektivin e inflacionit prej 3% të synuar nga Banka e Shqipërisë;
Ruajmë stimul fiskal në ekonomi përmes mbajtjes së një niveli të qëndrueshëm investimesh rreth 5% të PBB-së;
Rrisim të ardhurat tatimore me mbi 30 miliardë lekë në vit përmes zgjerimit të bazës tatimore pa rritur barrën fiskale, digjitalizimit të shërbimeve si dhe vazhdimit të luftës ndaj informalitetit;
Çelim një kapitull të ri bashkëpunimi me sipërmarrjen shqiptare përmes marrëveshjeve disa-vjeçare të lehtësimit tatimor dhe nxitjes së deklarimeve të rregullta duke zbatuar “Paqen Fiskale” 2026–2029: faljen e detyrimeve tatimore më të vjetra se 10 vjet; skemën e ripagimit të borxheve të 10 viteve të fundit me përqindje të reduktuara;
Vijojmë me politikën e taksës 0% për bizneset e vogla deri në vitin 2029.
Zbatojmë reformën e taksës mbi pasuritë e paluajtshme, duke kaluar në një sistem të ri të bazuar në vlerën reale të tregut përmes përditësimit të çmimeve, rivlerësimit masiv të pasurive dhe Kadastrës Fiskale.
Rishikojmë Skemën e TVSH-s për fermerët bazuar në praktikat më të mira të BE me një efekt financiar prej rreth 1.5 mld lekë/vit transfertë direkte tek fermerët.
Përafrim të plotë të legjislacionit tatimor/doganor me direktivat e BE, duke garantuar Interoperabilitetin me vendet e Unionit.
Krijojmë Këshillin Fiskal si një institucion të pavarur për vlerësimin e qëndrueshmërisë së financave publike dhe respektimit të rregullave fiskale.
Modernizojmë financat vendore.
Përmirësojmë sistemin financiar të qeverisë.

2.2 Politikat për Biznesin

a) Çfarë Arritëm Së Bashku

Shqipëria ka bërë hapa të mëdha për të krijuar një klimë më të favorshme për sipërmarrjen, duke ulur barrën fiskale për bizneset e vogla, thjeshtuar procedurat dhe rritur konkurrueshmërinë e tregut vendas në raport me rajonin dhe Bashkimin Europian.

Një nga masat më të rëndësishme ka qenë rritja e pragut të TVSH-së në nivelin më të lartë në rajon, duke përjashtuar shumicën e bizneseve të vogla nga kjo detyrë. Sot, vetëm 27% e bizneseve janë subjekt i TVSH-së, ndërsa pjesa tjetër përfitojnë nga politika lehtësuese që i ka liruar nga kjo barrë fiskale. Gjithashtu, u ndërmor një reformë e thellë për tatimin mbi të ardhurat e bizneseve të vogla: u eliminua tatimi për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë, duke përjashtuar 90% të bizneseve të vogla dhe duke u lënë sipërmarrësve në dispozicion rreth 17 miliardë lekë çdo vit për të investuar dhe zgjeruar aktivitetin e tyre. Një tjetër hap strategjik ka qenë integrimi i Shqipërisë në SEPA (Zona e Pagesave të Vetme Europiane), i cili ka ulur ndjeshëm kostot e pagesave ndërkombëtare, ka përshpejtuar transaksionet me tregjet e BE-së dhe ka lehtësuar qasjen e biznesit shqiptar në ekonominë europiane. Në të njëjtën kohë, është avancuar procesi i dixhitalizimit të shërbimeve publike për biznesin, duke eliminuar burokracinë dhe duke mundësuar aplikime online për leje, licenca dhe dokumente. Kjo ka kursyer kohë dhe kosto për sipërmarrjen dhe ka reduktuar ndjeshëm hapësirat për korrupsion.

b) Destinacioni Ynë Europian

Objektivi ynë është të ndërtojmë një ekonomi dinamike dhe konkurruese, ku bizneset shqiptare të përmbushin standardet e Bashkimit Europian, të kenë akses të drejtë në financim dhe të jenë në gjendje të konkurojnë denjësisht në tregun e përbashkët europian.

c) Punët Tona Përpara

Mobilizojmë mbi 2 mld € kredi dhe garanci për bizneset, përmes Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Shqiptare të Zhvillimit, për të rritur investimet dhe prodhimin vendas.
Miratojmë dhe zbatojmë Strategjinë Kombëtare Industriale për transformimin ekonomik të Shqipërisë, duke vendosur bazat për një ekonomi më konkurruese dhe moderne, e duke orientuar politikat dhe fondet drejt sektorëve që gjenerojnë vlerë të shtuar.
Me Paketën e Maleve mundësojmë zhvillimin e investimeve në zonat malore duke lehtësuar marrjen e lejes së ndertimit për poseduesit që duan të investojne, si dhe zgjidhim marrjen e dokumentave për pronën e familjeve. Për 500 sipërmarrësit e parë përfitues, nga paketa, taksat do të jene zero dhe TVSH zero për 10 vitet e para. • Ngrejmw ‘Credit Bureaus’ për të ulur riskun e kreditimit.
Heqim çmimet e referencës për importet nga BE, për ulje kostosh dhe lehtësim tregtie.
Nxisimi investimet me rregulla të qarta e të harmonizuara, me procedura të thjeshta dhe transparencë për investitorët vendas e të huaj.
Zbatojmë Strategjinë e Specializimit Inteligjent (S3), me buxhet 1.18 miliardë euro, për të orientuar fondet kombëtare dhe ato të BE-së drejt fushave me avantazh konkurrues, duke mundësuar rritje të qëndrueshme, më shumë projekte inovative dhe integrim të plotë me tregjet evropiane.
Përafrojmë ligjet me standardet e BE-së, për mbrojtjen e patentave, markave dhe të drejtave të autorit, duke garantuar klimë të sigurt investimi, mbrojtje për produktet dhe shërbimet shqiptare dhe shpërblim për punën, talentin e shpikjet, si në çdo vend të BE-së.
Miratojmë Politikën Kombëtare për NMV-të, u japim sipërmarrjeve shqiptare akses më të lehtë në kredi dhe fonde zhvillimi, duke rritur produktivitetin dhe transparencën, si dhe duke depërtuar më lehtë në tregjet ndërkombëtare. Kjo reformë nxit qëndrueshmërinë e bizneseve, krijon më shumë punësim lokal dhe rrit bazën prodhuese të vendit, duke i kthyer Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në bazën e mirëqenies së çdo familjeje shqiptare.
Realizojmë Programin Kombëtar për Mbështetjen e Biznesit në Tregun Unik Europian me qëllim orientim dhe asistencë për eksportuesit shqiptarë në përputhje me rregullat e BE-së.
Përmsojmë infrastrukturën institucionale të kontrrollit të cilësisë dhe lidhjen me sistemet e BE-së që certifikatat shqiptare të njihen në mbarë BE-në.
Forcojmë mbrojtjen e konsumatorit dhe sigurinë e produkteve përmes një kuadri të ri ligjor, të përafruar me standardet e BE-së.
Reformojmë Këshillin Ekonomik Kombëtar në Këshill Kombëtar Ekonomiko-Social, për përfshirje më të gjerë të partnerëve socialë dhe sektorit privat.
Reformojmë sistemin e dhomave të tregtisë në Dhomë Ekonomike Kombëtare për përfaqësim të integruar të biznesit.
Riorganizojmë të gjithë sistemin e inspektorateve për ta bërë më transparent, më efikas dhe më miqësor për biznesin, duke shmangur abuzimet dhe kontrollin e panevojshëm.

2.3 Inovacioni dhe Teknologjia

a) Çfarë Arritëm Së Bashku

Shqipëria ka hyrë në një epokë të re të inovacionit dhe transformimit digjital, duke e kthyer teknologjinë në një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe modernizimit të shtetit. Mbështetja për startup-et dhe sipërmarrjen e re ka marrë një dimension të ri: për periudhën 2022–2025 është krijuar një fond prej 10 milionë eurosh për financimin e ideve dhe bizneseve të reja inovative, me objektivin për të mbështetur mbi 250 startup-e. Ky vizion ka marrë formë konkrete me ndërtimin e teknoparkut “Durana Tech Park”, ku tashmë mbi 50 kompani vendase dhe të huaja kanë shprehur interes për t’u regjistruar, duke e vendosur Shqipërinë në hartën rajonale të inovacionit. Paralelisht, Ligji për Startup-et ka krijuar një kornizë të favorshme për nomadët dixhitalë dhe profesionistët e huaj, duke u mundësuar atyre të punojnë nga Shqipëria për kompani ndërkombëtare. Transformimi më i madh është realizuar në administratën publike, e cila është dixhitalizuar pothuajse tërësisht.

Platforma “e-Albania” ka ofruar mbi 47 milionë shërbime online, duke eliminuar sportelet, radhët dhe hapësirat për korrupsion. Ky proces është duke u thelluar me “e-Albania 2.0”, një version inovativ i bazuar në modelin “life events”, që ofron shërbime të personalizuara dhe asistencë të avancuar dixhitale për qytetarët dhe bizneset. Përfshirja e Inteligjencës Artificiale (IA) është një tjetër hap i madh: asistentja digjitale “Diella” është projektuar për të përfunduar automatikisht procese të tëra shërbimesh publike. Po ashtu, IA është integruar në administratën publike për të automatizuar prokurimet, analizuar të dhënat fiskale dhe për të forcuar luftën kundër evazionit tatimor. Për të garantuar një shtet të sigurt dixhital, është zgjeruar GovNet, rrjeti i sigurt i komunikimit ndërinstitucional. Në fushën e arsimit, janë ndërtuar 340 laboratorë inteligjentë në shkolla, me objektivin që deri në vitin 2026 të arrijë në 985 laboratorë, duke garantuar akses universal në teknologji për çdo fëmijë.

Një tjetër histori suksesi është hapja e qendrës TUMO në Piramidën e Tiranës, ku mësojnë falas mbi 1,500 të rinj të moshës 12–18 vjeç, duke u dhënë atyre aftësi digjitale dhe krijuese. Ndërkohë, sjellja në Shqipëri e “Plug and Play”, një nga platformat më të mëdha të startup-eve në botë, e ka pozicionuar Tiranën në hartën globale të inovacionit, përkrah kryeqyteteve më konkurruese të rajonit. Së fundi, është hapur “École 42” në Tiranë, institucioni prestigjioz francez i teknologjisë, i cili formon çdo vit 250 programues të rinj, pa kritere akademike por vetëm mbi bazën e talentit. Kjo e bën Shqipërinë një qendër të re rajonale për edukimin në teknologji dhe përgatitjen e kapitalit njerëzor për ekonominë digjitale të së ardhmes.

b) Destinacioni Ynë Europian

Objektivi ynë është që deri në vitin 2030, Shqipëria të bëhet lider në rajon për inovacionin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, me një ekonomi digjitale të integruar në tregun europian.

c) Punët Tona Përpara

Trefishojmë fondet për startup-et dhe krijimin e inkubatorëve dhe akseleratorëve të rinj, duke fuqizuar sipërmarrësit e rinj dhe duke zgjeruar ekosistemin kombëtar të inovacionit.
Zhvillojmë instrumentet e financimit alternativ, përmes “crowdfounding” fondeve korporative dhe investimeve engjëllore (Business Angels), të mbështetura nga trajtim fiskal i dedikuar dhe kuadër ligjor i posaçëm.
Vendosim detyrimin kërkim dhe zhvillim (R&D) për bizneset e mëdha, si mekanizëm për të nxitur inovacionin dhe konkurrueshmërinë.
Vëmë në funksion sistemin “AI-Assisted Investment Matching”, që lidh automatikisht investitorët me startup-et më premtuese sipas potencialit ekonomik dhe ndikimit social.
Krijojmë programe të veçanta për diasporën, për tërhequr profesionistë dhe ekspertizë, duke ndërtuar ura mes talenteve jashtë vendit dhe mundësive ekonomike në Shqipëri.
Forcojmë ekosistemin e startup-eve edhe jashtë Tiranës, duke krijuar kushte zhvillimi për sipërmarrjen në qytetet e vogla dhe zonat rurale.
Zhvillojmë programe për inkubatorë dhe akseleratorë me fokus në teknologjitë e gjelbra dhe transformimin dixhital, duke synuar një zhvillim të qëndrueshëm.
Zgjerojmë teknoparqet në qytete të tjera të vendit, duke ofruar infrastrukturë dhe lehtësi fiskale për bizneset inovative.
Ngremë Parqe Eko-Industriale (eficiencë energjetike, riciklim, ekonomi qarkulluese) si qendra të reja prodhimi me paga më të larta.
Krijojmë rrjetin NITTO të Zyrave të Transferimit të Teknologjisë dhe Inovacionit për lidhjen universitet–kërkim–biznes.
Ngremë Qendrat e Ekselencës në Nanoteknologji dhe Shkenca Biomarine për kërkim të aplikueshëm, patenta dhe vende pune të kualifikuara.
Hartojmë dhe miratojmë ligjin për tregjet e kripto-aseteve, të përafruar me rregulloret më të fundit të BE-së, për të garantuar siguri dhe transparencë në financa.
Çelim tregun për tokenizimin e aseteve të prekshme (prona, energji, bujqësi), duke krijuar mundësi të reja investimi vendase dhe të huaja.
Aplikojmë “utility tokens” për pagesa të sigurta e transparente në shërbime publike si ujë, energji, transport dhe taksa.
Zbatojmë Programin Kombëtar “Cashless Albania 2028”, për ta shndërruar vendin në një ekonomi plotësisht digjitale, ku çdo transaksion është pa cash, më i shpejtë dhe më transparent.
Krijojmë asistentin virtual për bizneset, për të lehtësuar integrimin në tregun evropian, duke ofruar akses në legjislacionin e BE-së, udhëzime mbi eksportet, hapjen e bizneseve dhe fondet e BE-së.
Zhvillojmë asistentin virtual për administratën publike, i cili orienton institucionet mbi përafrimin e legjislacionit dhe procesin e negociatave me BE.
Bëjmë Shqipërinë vendin e parë në Europë që përdor inteligjencën artificiale për integrimin në BE, përmes modelit të zhvilluar nga AKSHI dhe Microsoft, duke harmonizuar legjislacionin shqiptar me atë të BE-së në vetëm 2 vite.
Krijojmë Qendrën e Rezervimit të të Dhënave (Data Recovery Center), për të garantuar sigurinë e informacionit dhe reziliencën e sistemeve elektronike.

2.4 Puna dhe Kapitali Njerëzor

a) Çfarë Arritëm Së Bashku

Tregu i punës në Shqipëri është shndërruar në një motor të vërtetë zhvillimi dhe mirëqenieje për qytetarët, falë reformave të ndërmarra gjatë dekadës së fundit. Sot, vendi ka një treg pune më dinamik, më gjithëpërfshirës dhe më të lidhur ngushtë me nevojat reale të ekonomisë. Papunësia është ulur në nivele historike: nga 17,5% në vitin 2014 në vetëm 8,8% në vitin 2024, duke krijuar mbi 300 mijë vende të reja pune. Këto vende pune kanë hapur mundësi të reja sidomos për të rinjtë, gratë dhe grupet vulnerabël, duke forcuar kohezionin social dhe duke zgjeruar bazën aktive të ekonomisë. Në të njëjtën kohë, fuqia blerëse e qytetarëve është rritur ndjeshëm.

Paga minimale është dyfishuar, duke garantuar stabilitet më të madh për familjet shqiptare, ndërsa paga mesatare në sektorin publik është rritur ndjeshëm, duke ofruar një vlerësim real dhe të merituar për çdo punonjës. Shërbimet e punësimit janë modernizuar rrënjësisht. Sot Shqipëria renditet e para në Ballkanin Perëndimor për politikat e punësimit sipas OECD, si dëshmi e një sistemi më transparent dhe më efikas. Kjo është arritur edhe falë ngritjes së Sistemit të Informacionit për Menaxhimin e Punësimit, i cili ka krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe bizneseve, duke eliminuar burokracinë dhe duke lehtësuar aplikimet për punë. Një tjetër arritje e rëndësishme ka qenë fuqizimi i mbështetjes për të rinjtë me Garancinë Rinore, e cila garanton që çdo i ri të ketë mundësi punësimi, trajnimi apo edukimi brenda katër muajve. Kjo politikë ka vendosur një standard të ri të përputhjes mes sistemit arsimor, tregut të punës dhe nevojave të sipërmarrjes, duke i dhënë rinisë shqiptare një bazë më të fortë për zhvillim profesional dhe personal.

b) Destinacioni Ynë Europian

Objektivi ynë strategjik është krijimi i një tregu pune konkurrues, gjithëpërfshirës dhe në linjë me standardet e BE-së, ku çdo qytetar shqiptar ka mundësi reale për punësim cilësor, paga të larta dhe zhvillim profesional të qëndrueshëm.

c) Punët Tona Përpara

Shërbime punësimi tërësisht dixhitale dhe inteligjente

Transformojmë shërbimet e punësimit me sistem të zgjuar orientimi karriere dhe platformë të dedikuar për emigrantët që duan të rikthehen e të punojnë në Shqipëri.
Ulim papunësinë e përgjithshme në 6% deri në 2030 dhe papunësinë e të rinjve nën 15%.
Paga minimale në 500 euro deri në 2026, me 18 muaj pa asnjë taksë shtesë për punëmarrësit me paga të ulëta.
Paga mesatare kombëtare 1,000 € deri në 2030; në sektorin publik 1,200 €.
Garancia Rinore ofron punë, trajnim ose arsim për mbi 40,000 të rinj brenda 4 muajve nga regjistrimi.
Forcojmë barazinë në paga dhe politikat aktive për punësimin e grave.
Zgjerojmë modelin dual tw arsimit profesional në partneritet me biznesin dhe certifikim ndërkombëtar të kualifikimeve.
Deri në 2030, 1 në 3 nxënës ndjek arsimin profesional; shkollat profesionale kthehen në qendra multifunksionale me konvikte moderne dhe kurse afatshkurtra për profesione të kërkuara.
Garantojme kushte të barabarta pune, trajtim dinjitoz, sistem social të qëndrueshëm dhe të besueshëm.
Vijojmë me nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale për njohjen e pensioneve, duke siguruar kushte të barabarta pune dhe mbrojtje sociale të plotë për shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Ndërtojmë programe të dedikuara për diasporën për rikthim të talenteve, transferim expertise dhe ndërmjetësim punësimi në sektorët prioritarë.

2.5 Infrastruktura Moderne

a) Çfarë Arritëm Së Bashku

Infrastruktura moderne është shndërruar në shtyllën e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë. Ajo është garancia e sovranitetit ekonomik, e integrimit rajonal dhe e afrimit me Bashkimin Europian. Vetëm me rrugë të standardeve europiane Shqipëria lidhet më shpejt dhe më sigurt. Vetëm me hekurudha moderne, të elektrifikuara, vendi bëhet pjesë e korridoreve të së ardhmes. Vetëm me porte dhe aeroporte funksionale Shqipëria hapet ndaj tregjeve globale. Vetëm me rrjete digjitale të avancuara qytetarët dhe bizneset bëhen pjesë e shoqërisë së informacionit. Së bashku e kthejnë Shqipërinë në një ekonomi konkurruese, një destinacion turistik të qëndrueshëm dhe një treg të integruar me Europën Në dekadën e fundit, Shqipëria ka përjetuar një transformim të thellë të infrastrukturës, duke e shndërruar atë në themel të rritjes së qëndrueshme. Janë ndërtuar mbi 935 km rrugë të reja, 21 km ura dhe 12 km tunele, Veriu i Shqipërisë është sot një motor i vërtetë zhvillimi dhe integrimi. Rruga e Arbrit me Tunelin e Murrizit dhe segmentin Maqellarë